Pas mbylljes së kontratës me Crown Agents, Qeveria po bën pagesat për të likuiduar kompaninë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2015 janë paguar 3.2 milionë euro për dy raportet e kontrolleve të dorëzuar nga Crown Agents. Ndërkaq nuk janë bërë ende pagesat për kontributin në të ardhura, një pikë e kontratës që britanikët nuk e përmbushën. Burime nga dikasteri i Financave shpjegojnë se pritet një raport i tretë dhe më pas do të merret një vendim.
Pas përfundimit të kontratës me Crown Agents në shkurt të këtij viti, Qeveria po mbyll llogaritë me kompaninë britanike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2015 janë lëvruar në total për Crown Agents 3.2 milionë euro.
Kësaj shume i shtohet pagesat e bëra gjatë vitit 2014, që sipas të dhënave të Spending Date Albania vlerësohen në rreth 4 milionë euro.
Burime nga dikasteri i Financave shpjegojnë se gjatë vitit 2015, Crown Agents, është paguar për dy raportet e kontrolleve që ka dorëzuar, ndërsa nuk është bërë ende pagesa për kontributin në të ardhura që vlerësohet në 316.7 mijë euro dhe ato për pragun mujor në 158.3 mijë euro.
Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se pritet që kompania të dorëzojë edhe një raport të tretë dhe më pas do të diskutohet nëse do të bëhet ose jo pagesa për objektivin e të ardhurave, që nuk u realizua.
Crown Agents nuk përmbushi detyrimin kontraktor me Qeverinë shqiptare që kërkonte që të ardhurat doganore të rriteshin për një vit fiskal jo më pak se 90 milionë euro.
Pas përfundimit të kontratës, Ministria e Financave pohoi se puna e Crown Agents nuk lidhej vetëm me të ardhurat, por edhe me standardet që u përvetësuan nga administrata doganore.